Kandidati i PDK-së, Fetah Paqarizi, ka reaguar lidhur me procesin e rinumërimit të votave nga KQZ, duke e cilësuar situatën serioze dhe shqetësuese. Ai tha se kjo ngre dyshime mbi integritetin e numërimit dhe cenon besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.
Paqarizi kërkoi rinumërim të plotë të votave në të gjithë vendin, përfshirë edhe votat e diasporës, për të garantuar transparencë, barazi dhe respektimin e vullnetit real të qytetarëve. Ai sqaroi gjithashtu se nuk ka pasur asnjë ndikim në proces dhe distancohet nga çdo keqpërdorim apo manipulim që mund të jetë bërë në emrin e tij.
Sipas tij, Prokuroria e Shtetit ka detyrë ligjore dhe morale për të nisur hetime të pavarura dhe profesionale, ndërsa KQZ duhet të ofrojë prova të qarta për ligjshmërinë dhe korrektësinë e veprimeve të saj. Paqarizi theksoi se kërkon transparencë, hetim dhe përgjegjësi, duke theksuar se çdo gabim apo manipulim në këtë nivel është përgjegjësi shtetërore.




