Një incident zjarri është raportuar sot rreth orës 02:00 të mëngjesit në Shkollën Fillore “Sylejman Vokshi” në Deçan, për çka është njoftuar Drejtoria Komunale e Arsimit nga drejtori i shkollës.
Sipas informatave, zjarri ka përfshirë drutë e destinuara për ngrohjen e objektit shkollor, ndërsa për shuarjen e tij ka qenë e nevojshme ndërhyrja e njësive të zjarrfikësve. Shkaku i zjarrit ende nuk dihet.
Për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka nisur hetimet në përputhje me procedurat ligjore.
Nga Drejtoria Komunale e Arsimit është bërë e ditur se procesi mësimor në këtë shkollë do të vazhdojë pa ndërprerje, pasi objekti është i pajisur edhe me kondicionerë për ngrohje, ndërsa është paralajmëruar edhe furnizimi i menjëhershëm me dru.
Institucionet komunale kanë falënderuar zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe të gjithë të angazhuarit për reagimin e shpejtë dhe profesional, pavarësisht kushteve të vështira dhe temperaturave të ulëta gjatë natës.




