Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë bërë të ditur se trupi gjykues do të vendosë në kohën e duhur për kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi për lirim me kusht.
Zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, ka konfirmuar se vendimi do të merret pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga mbrojtja më 6 korrik.
Në kërkesë, mbrojtja ka ofruar garanci prej 50 mijë eurosh, duke theksuar se Thaçi nuk do të largohet nga territori i Kosovës, do të dorëzojë pasaportën dhe dokumentet e tjera të udhëtimit, si dhe do të përmbahet nga deklaratat publike dhe diskutimi i çështjes së tij, përveç me ekipin mbrojtës.
“Trupi Gjykues do të nxjerrë një vendim lidhur me këtë kërkesë në kohën e duhur”, ka deklaruar Doyle.




