Një pjesë tjetër e një rakete është gjetur në lagjen “Prishtina e Re”, në të njëjtin lokacion ku pak ditë më parë u zbulua pjesa motorike e saj. Dyshohet se kësaj radhe është gjetur koka e raketës.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka rrethuar zonën dhe ka angazhuar njësitë e deminimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas dyshimeve fillestare, raketa i përket periudhës së luftës së fundit në Kosovë dhe besohet se është lëshuar gjatë bombardimeve të NATO-s në pranverën e vitit 1999 ndaj caqeve ushtarake serbe. Lokacioni ku është gjetur ndodhet pranë ish-shtabit ushtarak serb në Hajvali.
Banorët e zonës kanë bërë të ditur se edhe më herët janë gjetur mjete shpërthyese në këtë hapësirë dhe kanë kërkuar kontrolle të mëtejshme për të eliminuar çdo rrezik të mundshëm.




