Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka formuar një komision ad-hoc për të hetuar administrativisht rastin e publikuar nga një familje lidhur me trajtimin e fëmijës së tyre në Klinikën e Pediatrisë.
Sipas njoftimit, komisioni do të shqyrtojë pretendimet për trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, si dhe çdo lëshim të mundshëm menaxherial e teknik.
QKUK bëri të ditur se verifikimet fillestare kanë evidentuar disa parregullsi, përfshirë ato të paraqitura në fotografitë e publikuara në media dhe rrjete sociale. Si masë e menjëhershme, është suspenduar përkohësisht një punëtor i shërbimeve teknike, janë dhënë vërejtje për personat përgjegjës në zinxhirin menaxherial dhe janë marrë masa të përkohshme administrative ndaj katër infermierëve.
Rasti u bë publik nga një nënë, e cila publikoi fotografi nga kushtet në Klinikën e Pediatrisë ku po trajtohet djali i saj. Ajo ka deklaruar gjithashtu se pas publikimit të statusit është përballur me presion nga zyrtarë të spitalit, të cilët, sipas saj, i kanë kërkuar të sqarojë dhe të ndryshojë pretendimet e bëra publikisht.




