Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Bashkim Kolshit, duke e dënuar me 4 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë për veprën penale të lidhur me shitblerjen e narkotikëve.
Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Lutfi Shala, Vesel Ismaili dhe Kujtim Krasniqi, i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge”.
Gjykata ka bërë të ditur se Kolshi është liruar nga akuza për veprën penale “Shpëlarja e parave”.
Në dënimin me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
I akuzuari Bashkim Kolshi dhe prokurori Kastriot Mema nuk ishin të pranishëm në shpalljen e aktgjykimit, ndërsa i pranishëm ishte mbrojtësi i tij, avokati Kadri Mjekiqi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 3 maj 2023, Kolshi akuzohet për transportim të rreth 180 kilogramëve kokainë, përmes dhjetë dërgesave gjatë periudhës prill–qershor 2019./EO/




