Screenshot
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka miratuar rezolutën H.R. 6411, e cila trajton të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Sipas Kamberit, kjo përfaqëson një qëndrim zyrtar të SHBA-së dhe një hap të rëndësishëm drejt adresimit të diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në këtë rajon.
Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për kongresistin Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropë, për iniciativën dhe lidershipin e tij, si dhe për mbështetjen dypartiake të kryetarit të Komitetit, Brian Mast, dhe nënkryetarit Gregory Meeks. Rezoluta pritet tashmë të procedohet për miratim në vetë Kongresin amerikan.
Kamberi theksoi se ky sukses është rezultat i një përpjekjeje të gjatë që nga viti 2001, nën përkrahjen e vazhdueshme të Joe dhe Shirley DioGuardi dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe mbështetjes së komunitetit shqiptar në SHBA, veçanërisht në Texas përmes organizatës “Albanians For America”.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për shkeljet dhe diskriminimin sistematik të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e cilësuar këtë zhvillim si një fitore të rëndësishme pas një beteje të gjatë dhe të drejtë.




