Njohës të fushës së drejtësisë kanë shprehur optimizëm se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të përfundojë me vendim lirues. Gjykata Speciale në Hagë ka pranuar dosjet përfundimtare nga prokuroria, mbrojtja dhe përfaqësuesit e viktimave, ndërsa deklaratat përmbyllëse pritet të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt.EkonomiaOnline
Sipas avokatit Ardian Bajraktari, kjo fazë është vendimtare dhe dëshmitë e paraqitura nga mbrojtja kanë qenë të rëndësishme dhe të besueshme, duke vënë në pikëpyetje pretendimet e prokurorisë, veçanërisht lidhur me ekzistimin e një strukture komanduese dhe përgjegjësinë komanduese në UÇK. Ai vlerësoi se pas përfundimit të kësaj faze, trupi gjykues pritet të marrë vendim brenda disa muajsh dhe shprehu bindjen për një aktgjykim lirues.
Bajraktari kritikoi gjithashtu procesin për mungesë transparence, prova të diskutueshme dhe zgjatje të paraburgimit, duke i cilësuar si shkelje të parimeve të një gjykimi të drejtë.
Nga ana tjetër, avokati Arbër Jashari u tregua më i rezervuar në parashikime, por theksoi se, sipas vlerësimit të tij profesional, asnjë nga pikat e aktakuzës nuk është vërtetuar gjatë shqyrtimit gjyqësor. Ai ngriti shqetësime për mundësinë e një qasjeje subjektive nga gjykata, por shtoi se nëse zbatohen standardet më të larta të drejtësisë, rezultati do të duhej të ishte lirimi i të akuzuarve.




