Në kuadër të vizitës në Singapor, Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, zhvilloi një takim me Ministren e Shtetit për Punë të Jashtme, Tregti dhe Industri të Singaporit, Gan Siow Huang.
Në fokus të diskutimeve ishte bashkëpunimi ekonomik dhe forcimi i lidhjeve ndërmjet komuniteteve të biznesit të të dyja vendeve. Palët shkëmbyen ide për mekanizma të përbashkëta që do të mundësonin rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe nxitjen e investimeve. Gjithashtu, u trajtua nevoja për ndërtimin e bazës juridike përmes marrëveshjeve bilaterale në fusha me interes të përbashkët.




