Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka konfirmuar se është intervistuar në Prokurorinë Speciale lidhur me një kallëzim penal që ka të bëjë me procesin e ndarjes së granteve në Ministrinë e Bujqësisë, në periudhën sa ai ushtronte funksionin e ministrit.
Peci ka bërë të ditur se kallëzimi është ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes ish-deputetit Paris Guri, ndërsa ai thekson se në Prokurori ka dhënë sqarime të plota dhe ka qenë i hapur në lidhje me rolin dhe përgjegjësitë e tij institucionale në atë proces.
Sipas tij, së shpejti do t’u drejtohet organeve të drejtësisë me një kallëzim penal për kallëzim të rremë, duke pretenduar se ndaj tij është zhvilluar një fushatë shpifjesh dhe akuzash të pabazuara që kanë çuar në procedura penale.
Ai ka theksuar se, pavarësisht akuzave dhe presioneve, do të vazhdojë angazhimin e tij institucional dhe se, sipas tij, përpjekjet për diskreditim nuk do ta ndalin nga puna në shërbim të Kosovës.




