Fatmir Limaj, kryetar i NISMA-s, ka refuzuar çdo diskutim për poste ministrore, duke u përqendruar vetëm në kërkesën për të udhëhequr Kuvendin e Kosovës.
Këtë e bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm i NISMA-s, Bilall Sherifi, gjatë intervistës në RTV Dukagjini, ku tregoi se prioriteti i vetëm i Limajt dhe partisë së tij ishte pozita e kryetarit të Kuvendit, jo ndarja e pushtetit në ekzekutiv.
Sherifi theksoi se mandati për kryetar Kuvendi i takon mazhorancës, por edhe se partia më e madhe nuk mund ta zgjedhë atë pa numrat e nevojshëm.
Ai zbuloi se megjithëse ka pasur diskutime të përgjithshme me Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëqeverisje, Limaj nuk ka pranuar të hyjë në negociata për ndonjë ministri të caktuar.
Sipas tij, Limaj është një ndër deputetët më meritor për të udhëhequr Kuvendin, por një gjë e tillë është e mundur vetëm nëse je pjesë e mazhorancës.




