Ka hyrë në fuqi marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, duke lehtësuar trajtimin tatimor për qytetarët dhe bizneset e të dyja vendeve.
Sipas njoftimit zyrtar, kjo marrëveshje garanton që të ardhurat të mos tatohen dy herë, ndërsa tatimi i paguar në njërin shtet mund të njihet si kredit tatimor në shtetin tjetër, në përputhje me rregullat përkatëse.
Marrëveshja përcakton rregulla të qarta për tatimin e pagave, profesioneve të lira dhe veprimtarive biznesore, ndërsa pensionet tatohen vetëm në shtetin e rezidencës. Po ashtu, për punësimin afatshkurtër deri në 183 ditë, të ardhurat tatohen vetëm në shtetin e rezidencës, nëse plotësohen kushtet e marrëveshjes.
Përfitime të veçanta parashihen edhe për studentë dhe praktikantë që qëndrojnë për studim apo trajnim, si dhe norma më të favorshme tatimore për dividendë, interesa dhe honorare.
Marrëveshja synon rritjen e sigurisë juridike dhe nxitjen e investimeve mes dy shteteve.




