Gjykata e Apelit ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila e kishte dënuar Jon Hotin me 24 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e dyfishtë në Klinë.
Hoti ishte shpallur fajtor më 30 maj 2025 dhe dënimi i tij përfshin vrasjet që ndodhën më 13 nëntor 2024.
Ankesat e të dëmtuarve dhe mbrojtësit të të akuzuarit, për respektivisht rritjen ose uljen e dënimit, u refuzuan nga Apeli.
Gjykata vlerësoi si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë, pendimin e shprehur, mungesën e precedentëve penalë dhe moshën e re të të akuzuarit, ndërsa si rrethanë rënduese u konsiderua përgatitja e veprës, pabesia dhe intensiteti i veprës penale.
Apeli konstatoi se dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë është i drejtë dhe proporcional me rrezikshmërinë e veprës dhe pasojat e saj, duke siguruar që të parandalohen veprime të ngjashme në të ardhmen dhe të shprehet gjykimi shoqëror për këtë vepër.




