Policia e Tiranës ka zbuluar dhe goditur një rast tjetër të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Barriera”. Gjatë këtij aksioni, u sekuestruan 12 pistoleta të tipit Glock me municion luftarak, ndërsa u arrestua një 27-vjeçar nga Kosova.
Sipas autoriteteve, operacioni u finalizua pas disa javësh hetimesh të zhvilluara me metoda proaktive, në bashkëpunim mes Komisariatit të Policisë Nr. 4, Forcës Operacionale të DVP Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
I riu u ndalua në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës, ku policia ndërhyri dhe kontrolloi automjetin e tij tip “Volkswagen”. Gjatë kontrollit, nën kofanon e mjetit u zbuluan 10 pistoleta, ndërsa më pas u sekuestruan edhe dy armë të tjera, duke e çuar numrin total në 12.
Nga hetimet paraprake dyshohet se armët kishin si destinacion zonën e Freskut, ku pritej të shiteshin. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.




