Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në koordinim me njësitet e tjera relevante dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar ekstradimin e shtetasit maqedonas O. B. drejt Maqedonisë së Veriut.
I dyshuari ishte arrestuar në Kosovë pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase për veprat penale “prodhimi i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i substancave narkotike” dhe i ishte shmangur drejtësisë.
Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit efektiv ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor njofton se do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, për parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe për kapjen e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.




