Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka theksuar se roli i Kosovës si vend tranzit për migracionin e parregullt paraqet rreziqe për sigurinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë, në Britani të Madhe dhe në Evropë.
Ai i bëri këto deklarime gjatë lansimit të një dokumentari të ri mbi rrjetet e kontrabandës së migrantëve në Kosovë, prodhuar nga Balkan Investigative Reporting Network (BIRN) me mbështetjen e Ambasadës Britanike.
Sipas Hargreaves, rrjetet kriminale shfrytëzojnë persona të cenueshëm dhe dëmtojnë përpjekjet evropiane për të menaxhuar lëvizjen e njerëzve në mënyrë të drejtë dhe humane.
“Këto rrjete kriminale shfrytëzojnë njerëz të cenueshëm dhe dëmtojnë përpjekjet e kontinentit për të menaxhuar lëvizjen e njerëzve në mënyrë të drejtë dhe humane. Britania e Madhe dhe Kosova po punojnë ngushtë së bashku për të luftuar krimin serioz dhe të organizuar lidhur me imigracionin”, ka deklaruar ambasadori britanik.




