Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka pritur në një takim kortezie Përfaqësuesin Rezident të United Nations Development Programme (UNDP) në Kosovë, Nuno Queirós, me të cilin zhvilloi një diskutim përmbajtësor rreth prioriteteve strategjike dhe drejtimit të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në fokus të takimit ishin avancimi i reformës në drejtësi, forcimi i mekanizmave kundër korrupsionit, garantimi i qasjes së barabartë në drejtësi për çdo qytetar, procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë, ligji për Byronë, konsolidimi i mekanizmave të llogaridhënies si dhe adresimi efektiv i dhunës në familje.
Sipas Gërvallës, këto politika kërkojnë jo vetëm vullnet politik, por edhe kapacitete të qëndrueshme dhe ekspertizë teknike.
Ajo theksoi se bashkëpunimi me UNDP-në konsiderohet një instrument i rëndësishëm për mbështetje teknike, zhvillim të kapaciteteve dhe harmonizim të reformave me standardet ndërkombëtare.
Megjithatë, objektivi mbetet i qartë: politika që prodhojnë rezultate të matshme, institucione që funksionojnë me integritet dhe një sistem drejtësie që gëzon besimin e qytetarëve.
Gërvalla ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e partneriteteve që kontribuojnë në forcimin e shtetit të së drejtës dhe përshpejtimin e reformave me ndikim real.




