Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka parashtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të dyshuar për veprën penale “Shpëlarje e parave”, E.A., A.K. dhe A.L.
Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, më 24.02.2026, rreth orës 13:00, kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës me një furgon të tipit “Sprinter”, me targa shqiptare, të cilin e drejtonte i pandehuri E.A., i shoqëruar nga të pandehurit A.K. dhe A.L.
Të njëjtit, pasi ishin ndaluar në pikën doganore në Merdar, ishin shprehur se nuk kishin asgjë për të deklaruar.
Sipas kërkesës së PSRK-së, pas kontrollit të detajuar nga njësitë relevante, brenda automjetit, në një hapësirë të modifikuar, janë gjetur 18 pako me para, të përbëra nga banknota të ndryshme prej 10, 20, 50, 100 dhe 200 euro, që sipas vlerësimeve fillestare, shuma e përgjithshme arrin rreth një milion (1,000,000) euro.




