Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, deklaroi të mërkurën se nëse për postin e presidentit të Kosovës do të propozohej një emër nga familja e heroit kombëtar Adem Jashari, kjo do të përbënte një “konsensus automatik” në shoqëri.
Megjithatë, një kandidaturë e tillë nuk pritet të ndodhë.
Murat Jashari ka refuzuar mundësinë për të marrë postin e presidentit, duke theksuar se familja Jashari “i takon gjithë shqiptarëve” dhe nuk duhet të përfshihet në kalkulime të zakonshme politike.
Sipas tij, një përgjegjësi e tillë mund të merrej në konsideratë vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, si në rast të ndonjë situate që kërkon unitet dhe sakrificë kombëtare, por jo në kushte normale politike.
Ndërkohë, Kosova duhet ta zgjedhë presidentin e ri deri më 4 mars, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme, pasi mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i përfundon më 4 prill.
Aktualisht, Osmani nuk duket se ka mbështetjen e nevojshme parlamentare për një mandat të ri, ndërsa emra të tjerë potencialë për këtë post ende nuk janë zyrtarizuar, edhe pse afati kushtetues po afrohet.




