Boksieria kosovare Donjeta Sadiku ka siguruar finalen e madhe në turneun prestigjioz të boksit amator Strandja Tournament, që po mbahet në Sofie.
Sadiku arriti fitoren e tretë radhazi në kategorinë deri në 60 kilogramë, duke siguruar për të dytin vit me radhë një vend në finale. Në dy meçet e para ajo triumfoi me rezultat të pastër 5:0 ndaj boksieres çeke Barbora Maxova dhe asaj ukrainase Veronika Korets.
Në gjysmëfinale, Sadiku u përball me egjiptianen Ayyad Yomna, të cilën e mposhti duke dominuar në të tre raundet dhe duke bindur gjyqtarët për fitoren.
Me këtë sukses, ajo mbetet në garë për medaljen e artë, të cilën e kishte fituar edhe vitin e kaluar, duke u bërë boksierja e parë nga Kosova që triumfon në këtë turne, i njohur si më i vjetri në boksin amator në Evropë.
Finalja do të zhvillohet të dielën nga ora 14:00.




