Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se administrata e presidentit Donald Trump beson se objektivat e operacionit kundër Iran mund të arrihen pa përfshirjen e forcave tokësore.
Duke folur në një konferencë për media në Capitol Hill, Rubio theksoi se aktualisht SHBA-ja nuk është e pozicionuar për dislokim të trupave tokësore, por shtoi se presidenti “kurrë nuk do të përjashtojë asgjë” si opsion.
Sipas tij, fokusi kryesor i operacionit është shkatërrimi i lëshuesve dhe rezervave të raketave balistike, si dhe kapaciteteve për prodhimin e tyre. Ai përmendi gjithashtu dronët si një tjetër objektiv strategjik për t’u neutralizuar.
“Nuk do të zbuloj detaje të përpjekjeve tona taktike, por goditjet më të rënda nga ushtria amerikane ende nuk kanë ardhur. Faza e ardhshme do të jetë edhe më ndëshkuese për Iranin sesa është tani”, deklaroi Rubio.
Ai shtoi se udhëheqja e Kongresit është njoftuar për operacionin ushtarak dhe se administrata, sipas tij, “ka respektuar ligjin 100%”.




