Veran Matiq, drejtor ekzekutiv i Shoqata e Mediave të Pavarura Elektronike (ANEM) dhe kryesues i Komisionit për hetimin e vrasjes së gazetarëve në Serbi, ka deklaruar se kanë ekzistuar elemente të mjaftueshme për të punuar në zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, si dhe të pesë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë.
Ai ka thënë se si komision kishin siguruar informata që tregonin se në arkivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë ekzistonin të dhëna relevante për rastin e vëllezërve Yll Bytyqi, Agron Bytyqi dhe Mehmet Bytyqi, të cilët u vranë në vitin 1999 pasi ishin arrestuar nga autoritetet serbe. Sipas tij, kishte edhe dëshmitarë të mundshëm jashtë vendit, me të cilët mund të zhvilloheshin biseda për të sqaruar rrethanat e krimit.
Trupat e tre vëllezërve u gjetën në vitin 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello, afër Kladovës. Për këtë rast, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara ka miratuar rezoluta në vitet 2019 dhe 2022, duke i kërkuar Serbisë veprime konkrete dhe bashkëpunim për të sjellë autorët para drejtësisë.
Matiq ka thënë se për këto informata kishte njoftuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić, por sipas tij, pas deklarimeve publike nuk u ndërmorën hapa konkretë për hetim.
Ai ka folur edhe për rastin e vrasjes së pesë të rinjve serbë më 14 dhjetor 1998 në kafenenë “Panda” në Pejë, duke theksuar se ekzistonin emra të mundshëm të autorëve dhe raporte operative që mund të shërbenin si bazë për hetim. Sipas tij, edhe për këtë rast kishte informuar presidentin serb, por çështja nuk pati zhvillime të mëtejshme.
Pas vrasjes në “Panda”, mbi 150 shqiptarë u arrestuan, ndërsa gjashtë prej tyre u shpallën të pafajshëm nga gjykata në Serbi në nëntor 1999, pasi kishin qëndruar në paraburgim dhe kishin pretenduar për tortura gjatë ndalimit.




