Deputetja e Partis Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu, ka kritikuar mbajtjen e seancës në mbrëmje në Kuvendin i Kosovës, duke pyetur kryeministrin Albin Kurti se nga kush po frikësohet që po e zhvillon seancën gjatë natës.
Ajo tha se deputetët nuk kanë marrë ftesë zyrtare për pjesëmarrje dhe se janë njoftuar vetëm përmes një mesazhi se seanca do të mbahet në ora 20:00. Sipas saj, situata nuk paraqet ndonjë rrethanë të jashtëzakonshme dhe e akuzoi Kurtin se po tenton të krijojë një sistem totalitar.
Gjatë fjalës së saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i tërhoqi vërejtjen për gjuhën e përdorur dhe e paralajmëroi se mund t’i ndërpritet fjala, ndërsa Musliu kërkoi të sqarohet se cila pjesë e deklarimit të saj ishte joparlamentare.




