Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se drejtësia e barabartë nuk është vetëm një parim abstrakt, por një përgjegjësi konkrete e Republikës së Kosovës.
Duke folur në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ai theksoi se drejtësia e barabartë nënkupton zbatimin e plotë të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligj në çdo institucion.
Sipas tij, kjo do të thotë që dhuna në familje dhe diskriminimi të mos tolerohen, por të ndiqen penalisht dhe të parandalohen. Kurti shtoi se çdo vajzë dhe grua në Kosovë duhet të ketë qasje të barabartë në arsim dhe mundësi për zhvillim profesional.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përfaqësimit të grave në politikë dhe në vendimmarrje, duke shtuar se një demokraci nuk mund të jetë e fortë nëse gjysma e popullsisë mbetet e nënpërfaqësuar.
Kurti u shpreh se drejtësia e barabartë nënkupton edhe tolerancë zero ndaj dhunës me bazë gjinore, zbatim të urdhrave mbrojtës, mbështetje për të mbijetuarat dhe përgjegjësi për autorët e dhunës.
Sipas tij, barazia përfshin edhe pagë të barabartë për punë të barabartë, qasje të drejtë në shërbime shëndetësore dhe institucione drejtësie të lira nga paragjykimet dhe ndikimet. Ai shtoi se fuqizimi i grave dhe vajzave ka qenë një nga prioritetet e qeverisë gjatë mandatit të saj.




