Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka sqaruar deklaratën e tij të dhënë në një podcast të Radio Gorazhdevac, duke thënë se ka ngatërruar dy ngjarje të ndryshme që lidhen me Manastirin e Deçanit dhe vizitën e Patriarku Porfirije në vitin 2023.
Rashiq tha se deklarata e tij se kryeministri Albin Kurti i kishte thënë “këtë e kemi bërë për ty” gjatë vendimit për kthimin e tokës së Manastirit të Deçanit nuk ka qenë plotësisht e saktë.
Sipas tij, kjo fjali lidhej me një bisedë tjetër që kishte ndodhur më herët, gjatë miratimit të vizitës së patriarkut serb në Kosovë.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një gabim të paqëllimshëm, duke shtuar se ngatërrimi i ngjarjeve ka ndodhur pasi kanë kaluar disa vite nga ato zhvillime.
“Gabimi im ishte i paqëllimshëm dhe ngatërrimi i ngjarjeve ka ndodhur sepse kanë kaluar disa vite nga atëherë. Kërkoj falje nëse deklarata ime ka krijuar konfuzion”, është shprehur Rashiq, sipas raportimit të Kossev.




