Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj 5 të pandehurve për veprën penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në Malishevë.
Sipas njoftimit, të pandehurit kanë organizuar lojëra fati në një lokal afarist, duke shfrytëzuar aparate të lojërave të fatit të ndaluara me ligj. Gjatë kontrollit të lokalit, policia ka sekuestruar pesë aparate në funksion dhe 2,000 € në pronësi të E.B., pronarit të lokalit.
Të pandehurit tentuan të arratisen duke kërcyer nga një dritare, por u ndaluan nga policia. Prej 12 marsit, ata ndodhen nën masën e ndalimit 48-orësh me vendim të Prokurorit të Shtetit, deri në shqyrtimin e masës së paraburgimit.




