Qeveria e Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar disa vendime të rëndësishme financiare.
Në këtë mbledhje është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ndarjen e 500 mijë eurove, të destinuara për mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës që janë prekur nga situata e sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme.
Po ashtu, qeveria ka miratuar ndarjen e 1,675,000 eurove për zbatimin e masave 3.6 dhe 3.8 në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Në vendimet e tjera të miratuara përfshihet edhe autorizimi i ministrit për të aprovuar transfere nga nënprogrami “Shpenzimet e Paparashikuara” në nënprograme të tjera, për shuma individuale deri në 40 mijë euro.Gjithashtu, është aprovuar ndarja e 370 mijë eurove për Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA).
Në mbledhje është shqyrtuar edhe propozimi i Ministrisë së Financave për t’i rekomanduar Presidentes së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë me bankën gjermane KfW, për programin në sektorin e energjisë dhe klimës në Kosovë.




