Frashër Krasniqi nga Partia Socialdemokrate e Kosovës ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka mashtruar sa i përket Ligjit për të Huajt. Sipas Krasniqit, që nga fillimi i qeverisjes, qasja e Kurtit ndaj dialogut me Serbinë dhe serbët lokalë ka qenë e gabuar dhe ka prodhuar rezultate të kundërta.
Ai shtoi se veprimet e njëanshme nuk kanë sjellë integrimin e serbëve, të cilët sot janë më pak të integruar se në periudhën e pasluftës. Krasniqi gjithashtu tha se nënshkrimi i Ligjit për të Huajt nuk ishte befasi për të, duke theksuar se Kurti ka krijuar përshtypjen se nuk do të bënte lëshime në veri, por në fund ka bërë kompromise.
“Qasja e tij politike ka qenë e gabuar, ka prodhuar rezultate të gabuara. Për mua, nënshkrimi i Ligjit për të Huajt nuk ka qenë befasi. Kurti për krejt filmat në Veri, duke u dukur që nuk lëshon pe, në fakt ka lëshuar,” tha Krasniqi në intervistën për KlanKosova.




