Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka paralajmëruar se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë mund të rritet deri në 20% nga 1 prilli 2026, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. Kërkesat për rritjen e tarifave janë bazuar në kostot e larta të operimit dhe importit të energjisë, dhe ZRRE pritet të vendosë nëse dhe sa do të reflektohen këto kosto në faturat e qytetarëve.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, paralajmëroi për një rritje të çmimit të energjisë, duke thënë se politikat qeveritare dhe kërkesat e kompanive sugjerojnë një rritje të pashmangshme. Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, theksoi se kërkesat janë ende në shqyrtim dhe se për momentin nuk mund të konfirmohet niveli i saktë i rritjes.
Njohësit e çështjeve ekonomike, si Jakup Bellaqa, paralajmërojnë se kjo rritje do të ndikojë negativisht tek kategoritë me të ardhura të ulëta dhe bizneset, duke rritur kostot operative dhe çmimet e produkteve bazike. Ai sugjeron që shteti të mbështesë kategoritë me të hyra të ulëta dhe sektorin prodhues me subvencione për energjinë dhe mbështetje financiare.




