Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Ismail Dibrani, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Punësim, Blerim Hasani, kanë nënshkruar aneksin e memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve. Ky dokument është vazhdim i Memorandumit të Mirëkuptimit të vitit 2010 dhe synon të përforcojë rehabilitimin dhe riintegrimin e të burgosurve në shoqëri.
Aneksi parasheh angazhimin e këshilltarëve të punësimit në kuadër të programit për përgatitje për lirim dhe mbështetje pas daljes nga burgu, duke ofruar informacione mbi mundësitë e punësimit, trajnimet profesionale dhe shërbimet mbështetëse.
“Gjatë seancave të programit, të burgosurit do të njoftohen për vendet e lira të punës, procedurat e aplikimit dhe mbështetjen institucionale që mund të përfitojnë pas lirimit. Ky angazhim do të lehtësojë tranzicionin e tyre dhe do të ndikojë në uljen e rrezikut të rikthimit në vepra penale”, njofton ShKK.
Ky bashkëpunim synon të krijojë mundësi reale për integrim të suksesshëm të të burgosurve në tregun e punës dhe të përforcojë mbështetjen institucionale pas daljes nga burgu.




