Asociacioni i Komunave të Kosovës ka ritheksuar nevojën urgjente për shtimin dhe rishikimin e buxhetit për komunat, pasi mungesa e mjeteve po pengon realizimin e projekteve të planifikuara.
Drejtori ekzekutiv, Sazan Ibrahimi, tha për Ekonomia Online se komunat po përballen me sfida financiare për shkak të vendimeve gjyqësore që u kanë marrë dhjetëra miliona euro, shumica e të cilave lidhen me kontratat kolektive. Ai shtoi se këto mjete ishin destinuar kryesisht për investime kapitale, të cilat rrezikojnë të ndalen pa rishikimin e buxhetit.
Ibrahimi shpjegoi gjithashtu kufizimet për rialokimin e mjeteve buxhetore nga komunat: deri 5% brenda një vije buxhetore, 15% me aprovimin e ministrit, 25% me vendim të Qeverisë dhe mbi 25% vetëm me vendim të Kuvendit.
Ai theksoi se rishikimi i buxhetit është i domosdoshëm për të siguruar vijimësinë e projekteve kapitale dhe për të orientuar mjetet në interes të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik lokal. Sipas Ibrahimit, të gjitha komunat, përveç Zubin Potokut, operojnë me buxhetet e miratuara për vitin 2026.




