Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, njoftoi se Qeveria ka miratuar dërgimin e një kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza, si pjesë e një force stabilizuese ndërkombëtare.
Sipas tij, vendimi ka rëndësi shtetërore dhe historike, duke shënuar transformimin e Kosovës nga një vend që ka pasur nevojë për ndihmë ndërkombëtare, në një kontribuues aktiv në sigurinë ndërkombëtare.
Misioni do të udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është në përputhje me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
FSK-ja do të fokusohet në stabilizimin e situatës, mbrojtjen e civilëve dhe mbështetjen e përpjekjeve humanitare, ndërsa siguria e pjesëtarëve të saj mbetet prioritet.
Maqedonci theksoi se angazhimi do të realizohet në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, pa cenuar detyrat e saj kryesore brenda vendit.




