Një person është ndaluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, nën dyshimin për vjedhjen e rreth 9 kilogramëve ari, me vlerë të përafërt prej 1 milion euro.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari me inicialet XH.V. dyshohet se ka kryer vjedhjen në një argjendari në qytet.
Gjatë bastisjes së banesës së tij, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar një armë pa leje, si dhe një diamant.
Po ashtu, është ndërmarrë masë e përkohshme për ndalimin e pasurisë së të dyshuarit, përfshirë një veturë të tipit BMW X6 dhe një banesë në lagjen Tophane, me vlerë rreth 110 mijë euro.
Autoritetet pritet të kërkojnë edhe urdhër ndalues përfundimtar për këto pasuri.
Prokurori i shtetit pritet që brenda afateve ligjore të paraqesë kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.




