Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të hënën se SHBA-ja është në bisedime me atë që ai e quajti një “regjim më të arsyeshëm” për t’i dhënë fund konfliktit në Iran, por paralajmëroi për pasoja të rënda nëse nuk arrihet një marrëveshje së shpejti.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump theksoi se në rast se Ngushtica e Hormuzit nuk hapet menjëherë për qarkullim, Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin sulme ndaj infrastrukturës kryesore iraniane, përfshirë centralet elektrike, puset e naftës dhe ishullin Kharg.
Ai shtoi gjithashtu se në shënjestër mund të jenë edhe impiantet e desalinizimit që furnizojnë vendin me ujë të pijshëm.
Javën e kaluar, Trump kishte deklaruar një ndalim të përkohshëm të sulmeve ndaj objekteve energjetike të Iranit për një periudhë 10-ditore, e cila pritet të zgjasë deri më 6 prill.
Ndërkohë, pavarësisht deklaratave për përparim në bisedime, SHBA-ja ka shtuar praninë ushtarake në rajon. Ky veprim është kritikuar nga zyrtarët iranianë, përfshirë kryetarin e parlamentit, i cili ka akuzuar Uashingtonin për dërgim mesazhesh të dyfishta – për negociata nga njëra anë dhe përgatitje për ndërhyrje ushtarake nga ana tjetër.
Nga ana e tyre, udhëheqësit iranianë kanë mohuar zhvillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara.




