Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar dëshmi në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke kërkuar nisjen e menjëhershme të hetimeve lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë.
Në një konferencë për media para objektit të ZRRE-së, Azemi bëri të ditur se janë mbledhur gjithsej 884 dëshmi, si dhe qindra të tjera të dërguara nga qytetarët e Kosovës, të cilat sipas tij tregojnë për parregullsi serioze në matjen e energjisë elektrike.
“Sot kemi ardhur për t’i dorëzuar këto dëshmi dhe për të kërkuar hetim të plotë të këtij rasti. ZRRE është institucioni përgjegjës për vendimmarrje në sektorin e energjisë dhe kërkojmë që hetimet të nisin sa më shpejt për të kuptuar përmasat e këtij problemi”, deklaroi Azemi.
Ai theksoi se qytetarët po presin jo vetëm sqarime, por edhe kompensim për dëmet e mundshme financiare. Sipas tij, disa nga dëshmitë përfshijnë mospërputhje të dukshme në kohën e regjistruar nga njehsorët krahasuar me kohën reale.
Azemi shtoi se, nëse pretendimet rezultojnë të sakta, bëhet fjalë për humbje të mëdha financiare, që mund të arrijnë vlera milionëshe. Ai po ashtu përmendi raportime se ekipe në terren kanë nisur largimin e njehsorëve që dyshohet se nuk matin saktë, ndërsa reagimet e fundit kanë pranuar mundësinë e devijimeve, por i kanë cilësuar ato si të vogla dhe teknike.
Pas dorëzimit të dëshmive, Azemi, së bashku me deputetin Alban Zogaj dhe përfaqësues të tjerë të LDK-së, zhvilluan një takim me zyrtarë të ZRRE-së për të diskutuar hapat e mëtejmë./EO/




