Më 30 mars 2026, rreth orës 23:00, njësitë e patrullës dhe hetimeve të Stacionit Policor në Shtime, gjatë patrullimit, kanë ndaluar një veturë me targa vendore në të cilën ndodheshin tre persona të dyshuar.
Gjatë kontrollit të personave dhe automjetit, policia ka sekuestruar 1.36 gram substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, si dhe 4.67 gram një substance tjetër të dyshuar, lloji i së cilës mbetet ende i panjohur dhe është dërguar për analizë laboratorike. Po ashtu, është gjetur edhe një mjet i tipit “grinder”, që përdoret për përpunimin e substancave narkotike.
I dyshuari, i identifikuar me inicialet L.I. (30 vjeç), është intervistuar, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Posedim i substancave narkotike”. Pas procedurave, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, po atë ditë rreth orës 15:10, në rrugën “Sylejman Vokshi” në Shtime, policia ka arrestuar G.R. (25 vjeç), i cili ishte në kërkim me urdhër të Gjykatës në Ferizaj për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Pas përfundimit të procedurave policore, i njëjti është dërguar për vuajtje të dënimit me burg në kohëzgjatje prej 20 ditësh.




