Mbrojtja e Bashkim Smakaj dhe Hajredin Kuçi ka njoftuar se nuk do të paraqesë prova në rastin ku ata së bashku me Hashim Thaçi, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Mbrojtjet e Smakajt dhe Kuçit kanë dorëzuar parashtrimet e tyre ndaras, duke njoftuar se nuk kanë dëshmitarë për të paraqitur, megjithëse Kuçi ka rezervuar të drejtën për t’u drejtuar gjyqtarit gjatë fjalëve përfundimtare. Ndërkohë, mbrojtja e Thaçit dhe Kilajt do të paraqesë prova, ndërsa Fazliu nuk do ta bëjë këtë, por rezervon të drejtën për të marrë pjesë në deklaratat hyrëse dhe përmbyllëse.
Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Deri më tani, dëshmitë e dëshmitarëve të parë përfshijnë ekspertë nga Instituti i Kriminalistikës së Holandës dhe hetues digjitalë, me masat mbrojtëse të nevojshme.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Smakaj, Kilaj dhe Fazliu, së bashku me grupet e tyre, kanë ndjekur një model të veprimit për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Thaçi akuzohet veçmas për tri akuza për pengim të personit zyrtar, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Ndërsa Kilaj, Smakaj dhe Fazliu përballen me akuza për tentativë të pengimit dhe mosbindje ndaj gjykatës.




