Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shefin e EULEX, Giovanni Pietro Barbano, me të cilin ka diskutuar për gjendjen në sistemin e drejtësisë dhe nevojën për reforma të thella.
Në takim u vlerësua roli i EULEX-it në monitorimin e institucioneve të drejtësisë dhe kontributi i tij në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Palët u pajtuan se sfidat në gjyqësor vazhdojnë të jenë të pranishme, sidomos në aspektin e vonesave në trajtimin e rasteve, menaxhimit joefikas dhe mungesës së konsistencës në vendimmarrje.
Gjithashtu, u theksua rëndësia e digjitalizimit si një element kyç për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, duke përfshirë zbatimin e sistemit elektronik për menaxhimin e lëndëve nga të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët.
Kryeministri Kurti riafirmoi përkushtimin e Qeverisë për reforma që synojnë një sistem drejtësie më efikas, transparent dhe të përgjegjshëm, ndërsa EULEX-i u cilësua si partner i rëndësishëm në këtë proces.




