Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka caktuar 10 prillin, në orën 09:00, si datë për intervistimin e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Zëvendëskryetari i Komisionit, Vigan Qorrolli, ngriti një çështje lidhur me një kandidate nga komuniteti serb, e cila ka njoftuar se dokumentacionin e aplikimit e ka dërguar me postë më 19 mars, brenda afatit ligjor që ka përfunduar më 20 mars.
Megjithatë, sipas tij, administrata e Kuvendit ende nuk e ka pranuar këtë dokumentacion.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një situatë të pazakontë, pasi dërgesa thuhet se ka arritur në Prishtinë më 24 mars, por për rreth dy javë nuk është dorëzuar në administratën e Kuvendit. Për këtë arsye, Komisioni duhet të vendosë nëse kandidatja duhet të ftohet në intervistë, pavarësisht mungesës së dokumenteve zyrtare për verifikim.
Nga ana tjetër, deputetja Blerta Deliu paraqiti raportin e grupit punues, i cili ka shqyrtuar gjithsej 23 aplikime për këto pozita.
Sipas saj, të gjithë kandidatët i plotësojnë kushtet për intervistim, me përjashtim të një rasti ku kërkohet dokument shtesë që duhet të paraqitet gjatë intervistës.
Ajo bëri të ditur se intervistat do të zhvillohen pa test me shkrim, me kohëzgjatje prej 15 minutash për secilin kandidat dhe me vlerësim të fshehtë nga anëtarët e komisionit.
Sa i përket rastit të kandidates serbe, Deliu theksoi se aplikimi i saj nuk është përfshirë në raport për shkak se dokumentacioni nuk ka arritur në Komision.
Ajo kërkoi që kjo çështje të trajtohet duke u bazuar në praktikat e mëhershme, duke nënvizuar vështirësinë për të shqyrtuar një aplikim pa pasur dosjen përkatëse.




