Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër tre personave me inicialet E.R., H.K. dhe F.H., nën dyshimin për përfshirje në shitblerje dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve.
Sipas aktakuzës, më 11 gusht 2025, në Prizren, të pandehurit F.H. dhe E.R., në bashkëkryerje, kanë transportuar dhe shpërndarë rreth 3.3 kilogramë kokainë. Dyshohet se pas një marrëveshjeje paraprake me H.K., ata kanë dorëzuar narkotikët në këmbim të një automjeti të tipit “VW Golf VIII”.
Pas transaksionit, F.H. është larguar me automjetin e tij “VW Arteon” me targa belge, ndërsa E.R. ka drejtuar automjetin e marrë në këmbim, i cili më pas është sekuestruar nga policia në Prishtinë.
Më 16 gusht 2025, automjeti i F.H. është ndaluar nga Policia në pikën kufitare “Hani i Elezit”, ku në të ndodhej edhe E.R. si pasagjere.
Ndërkohë, gjatë bastisjes në banesën e H.K. në Prizren, autoritetet kanë sekuestruar gjithsej 4.436 kilogramë kokainë të destinuara për shitje, si dhe pajisje për paketim, përfshirë peshore digjitale, qese dhe para të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale që u vihen në barrë.




