Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e Masakrës së Rezallës, duke theksuar se dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës mbeten ende të freskëta.
Ai rikujtoi se më 5 prill 1999 u vranë 98 burra dhe djem shqiptarë, ndërsa pas krimit, sipas tij, forcat serbe tentuan të fshehin gjurmët duke rrëmbyer trupat e viktimave.
Kurti theksoi se një pjesë e tyre janë gjetur në varreza masive në Serbi, përfshirë Rudnicën në Rashkë dhe Kizhevakun, ndërsa shumë të tjerë ende rezultojnë të zhdukur.
Ai akuzoi Serbinë për fshehje të vazhdueshme të krimeve dhe bëri thirrje për angazhim ndërkombëtar në zbardhjen e fatit të të zhdukurve, duke kërkuar drejtësi për viktimat dhe duke theksuar se krimet nuk duhet të harrohen.




