Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur mbështetje të fuqishme për studentët shqiptarë që po protestojnë në Maqedonin e Veriut, duke e cilësuar çështjen e gjuhës amtare si të drejtë të panegociueshme.
Në reagim thuhet se përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë themelore që nuk duhet të varet nga vullneti i qeverive, ndërsa çdo moszbatim i garancive ligjore konsiderohet si cenim i dinjitetit dhe stabilitetit shoqëror.
OVL UÇK-së thekson se shqiptarët historikisht kanë respektuar gjuhët dhe identitetet e të tjerëve, por sipas tyre, gjuha shqipe vazhdon të përballet me kufizime dhe trajtim të pabarabartë.
Në fund, organizata vlerëson se kërkesa e studentëve për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën amtare është minimale dhe legjitime, duke u bërë thirrje për mbështetje të plotë ndaj tyre.




