Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka deklaruar se subjekti i tij politik është i përkushtuar për zgjidhjen e çështjes së presidentit, duke theksuar përpjekjet e kryeministrit Albin Kurti për arritjen e një marrëveshjeje.
Dugolli reagoi ndaj kërkesës së PDK-së për një ftesë zyrtare, duke vlerësuar se edhe komunikimi verbal ka peshë institucionale.
“Ftesat zyrtare mund të jenë edhe gojore, jo vetëm të shkruara”, u shpreh ai.
Sipas tij, përgjegjësia për tejkalimin e situatës aktuale i takon opozitës.
“Nëse opozita dëshiron t’i shmangë zgjedhjet, zgjidhja është aty”, shtoi Dugolli, duke bërë thirrje për dialog dhe kompromis politik.




