Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut po vijon inspektimet e operatorëve ekonomikë që shesin produkte nafte në të gjithë vendin, duke monitoruar reflektimin e lëvizjeve të bursës botërore. Rritja e çmimeve të naftës pritet të ndikojë në kostot e prodhimit dhe të vështirësojë punën e fermerëve.
“Fermerët që kanë tokë dhe do të mbjellin do të hasin vështirësi të mëdha, pasi nafta është shumë e shtrenjtë, rreth 1.90–2.00 euro,” tha një fermer.
Eksperti i bujqësisë, Imer Rusinovci, shtoi se krahas rritjes së çmimeve të naftës, fermerët përballen me kosto më të larta të inputeve të tjera, si fara dhe plehra, krahasuar me vitin e kaluar.
Në seancën e fundit të Komisionit, u diskutua edhe projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste krize ekonomike, mbrojtja e konsumatorit, raportet për agjencitë e pavarura dhe monitorimi i ndërmarrjeve publike. Zv.kryetarja e komisionit, Janina Ymeri, theksoi rëndësinë e miratimit të ligjit për naftën dhe inspektimin e situatës në ndërmarrjet publike.
Kryetarja e komisionit, Rozeta Hajdari, nënvizoi se vizitat duhet të planifikohen pas miratimit të projektligjeve prioritare, duke respektuar objektivat strategjike të komisionit.
Komisioni miratoi planin e veprimit për muajt e ardhshëm, duke përfshirë vizita dhe raportime që do të realizohen në fund-prill dhe fillim-maj, sipas prioriteteve.




