Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur së fundmi ofrimin e shërbimit për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës, edhe në periudhë jozgjedhore.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se ky aktivitet nuk ndërlidhet me ndonjë proces zgjedhor apo me mundësinë e zgjedhjeve të reja, por është obligim ligjor dhe pjesë e funksioneve të rregullta të institucionit.
Sipas tij, ky proces ndihmon në përditësimin dhe saktësimin e listës votuese për zgjedhjet e ardhshme.
Qytetarët mund të kërkojnë ndryshimin e qendrës së votimit brenda komunës online përmes platformës së KQZ-së ose në komisionet komunale përkatëse.
Ndërkohë, ndryshimi i qendrës së votimit nga një komunë në tjetrën mund të bëhet vetëm pas ndryshimit të adresës së banimit në Zyrën e Gjendjes Civile ose përmes platformës e-Kosova.




