Komuna e Drenasit ka përkujtuar rënien e dëshmorëve Kadri, Avdi dhe Xhevdet Karaqica në Gllanasellë, përmes një ceremonie përkujtimore të mbajtur pranë Memorialit ku prehen ata.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, anëtarë të kabinetit të tij, veteranë të UÇK-së, familjarë, qytetarë dhe bashkëpunëtorë. Të pranishmit bënë homazhe dhe vendosën lule në nderim të jetës dhe sakrificës së dëshmorëve.
Sipas njoftimit të komunës, kryetari Lladrovci theksoi se Kadri, Avdi dhe Xhevdet Karaqica mbeten shembull i qëndresës dhe përkushtimit për lirinë e vendit. Ai shtoi se sakrifica e tyre është gurthemel i lirisë që gëzohet sot dhe frymëzim për brezat që vijnë.




