Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë periudhës 1–13 prill 2026 ka intensifikuar kontrollet në trafik në rajonin e Ferizajt, me fokus të veçantë tek drejtuesit e motoçikletave dhe skuterëve.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë shqiptuar gjithsej 96 gjoba për shkelje të rregullave të komunikacionit, ndërsa janë konfiskuar 48 motoçikleta, kryesisht për mungesë të dokumentacionit të rregullt.
Sipas policisë, shumica e kundërvajtjeve kanë të bëjnë me drejtimin pa patentë shoferi dhe pa regjistrim, ndërsa janë evidentuar edhe raste të drejtimit pa helmetë mbrojtëse.
Ky aksion është realizuar në kuadër të planit operativ për kontroll të shtuar të motoçikletave dhe skuterëve, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik.
Policia ka apeluar tek qytetarët që të respektojnë rregullat e komunikacionit, të përdorin pajisjet mbrojtëse dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve, duke paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.




