28 prilli mbetet afati i fundit kur deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin Presidentin e ri të vendit. Në rast se deri në këtë datë nuk arrihet marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit, vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime me partitë opozitare, por deri tani nuk është arritur ndonjë rezultat konkret.
Në lidhje me zhvillimet politike, ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ka deklaruar për “Gazeta Blic” se situata aktuale është “lojë politike” e Kurtit. Sipas saj, nëse do të kishte vullnet për zgjidhje, ai do t’ua ofronte opozitës postin e Presidentit.
Ajo shtoi se këto ditë mund të shfrytëzohen nga Kurti për të vlerësuar ndikimin elektoral të presidentes Vjosa Osmani, duke u bazuar, sipas saj, edhe në sondazhe të brendshme, para se të merret një vendim politik.
Lama gjithashtu theksoi se humbësja më e madhe në këtë situatë është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila, sipas saj, po merr pjesë në takime pa arritur rezultate konkrete.




