Shefja e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka akuzuar partinë në pushtet për përpjekje për ndikim politik në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar këtë si “kapje institucionale”.
Sipas saj, disa nga emrat e propozuar për gjyqtarë të Kushtetueses kanë lidhje të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje, gjë që, sipas LDK-së, cenon procesin e pavarur të përzgjedhjes.
Kuvendi i Kosovës pritet të votojë nesër për këto propozime, ndërsa Lushaku-Sadriu ka bërë thirrje që deputetët të tregohen të kujdesshëm në vendimmarrje.
Ajo ka theksuar se Gjykata Kushtetuese duhet të mbetet e pavarur dhe mbi politikën, duke paralajmëruar se çdo ndikim politik mbi të do të dëmtonte funksionimin e shtetit.
“Nesër është moment i rëndësishëm për të vendosur nëse duam një drejtësi të pavarur apo një sistem të ndikuar politikisht,” ka deklaruar ajo, duke shtuar se Kushtetuesja nuk duhet të shërbejë si instrument i pushtetit apo shpërblim politik.




