Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu ka bërë të ditur se është kërcënuar me jetë dhe është ofenduar rëndë nga një qytetar përmes rrjetit social Facebook.
Ajo ka theksuar se përveç saj, është fyer dhe linçuar edhe familja e saj, pavarësisht, siç tha, kontributit të saj kombëtar.
Salihu ka njoftuar se rastin e ka denoncuar në Policinë e Kosovës dhe ka kërkuar që institucionet kompetente të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj personit përgjegjës.
Ajo ka shtuar se përpjekjet për ta frikësuar apo denigruar nuk do ta ndalin në ushtrimin e detyrës së saj si deputete e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar përkushtimin e saj për shërbim ndaj qytetarëve dhe vendit.




